Betis shtanget në Kupën e Mbretit, kampionët në fuqi eliminohen nga Osasuna

Kampionët në fuqi të Kupës së Mbretit, Betis eliminohen që në fazën e 1/8-ve nga ky kompeticion pasi mposhten me penallti nga Osasuna në një sfidë mjaft emocionuese. Canales dhe Rodriguez gabuan nga pika e bardhë, ndërsa lojtarët e Osasunës u treguan më të saktë duke kaluar në fazën tjetër të Kupës së Mbretit.

Betis e nis mjaft mirë ndeshjen dhe ka disa shanse të pastërta shënimi. Megjithatë, Ëilliam Jose nuk tregohet i saktë në mundësitë që i jepen për të çuar topin në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa fraksioni i dytë është edhe më emocionues.

Për të zhbllokuar shifrat mendon Carvalho që realizon golin e parë të takimit në minutën e 62-të. Betis më pas provon të menaxhojë rezultatin, ndërsa Osasuna hidhet në sulm për të vendosur baraspeshën.

Kur pritet që Betis të festojë për triumfin e kësaj ndeshjeje, në frymën e fundit Garcia vendos baraspeshën dhe e çon sfidën në shtesa. Betis reagon sërish në shtesën e parë dhe realizon golin që e çon rezultatin në 2-1.

Nuk dorëzohet nga ana tjetër Osasuna që vetëm 3 minuta më vonë kthen edhe njëherë takimin në ekuilibër sërish me Garcia. Shtesa e dytë nuk e ndryshon fatin e takimit dhe në fund ekipet shkojnë drejt penalltive.

“Ruleta ruse” i buzëqesh Osasunës që tregohet më e qartë nga pika e bardhë. Miqtë realizojnë të katërta penalltitë, ndërsa për Betis gabon Canales dhe Rodriguez. Në fund është Osasuna që feston dhe kualifikohet për çerekfinalet e Kupës së Mbretit.

Foto: Real Betis Balompié, Twitter