Bilanc katastrofë për Juventusin, 209 milion euro humbje vitin e fundit

Juventusi ka mbyllur bilancin e vitit 2020/21 me një humbje prej 209.9 milion euro, shumë më tepër se bilanci i vitit të kaluar ku humbjet ishin vetëm 89.7 milion euro. Rriten shpenzimet operative, ndërsa borxhi i përgjithshëm rritet në 389.2 milion euro.

Drejtuesit e klubit bardhezi presin një bilanc me humbje edhe për sezonin e ardhshëm: “Aktualisht bilanci i vitit 2021/22, akoma i penalizuar nga masat që lidhen direkt dhe indirekt me pandeminë, parashikohet me humbje të konsiderueshme”-lexohet në komunikatën zyrtare të Juventusit.

Fitimi nga transferimet e merkatos është vetëm 30 milion euro. Ndërsa efektet e pandemisë shihen si faktorët kryesorë të këtij bilanci negativ.

“Aktualisht nuk është e mundur që të flitet me siguri për zhvillimit e ardhshme në lidhje me projektin e Super Ligës, për legjitimitetin e së cilës Juventusi është i bindur”-shkruhet në komunikatën e klubit bardhezi, që beson akoma tek projekti i Super Ligës Europiane.