Bilanci negativ më i lartë në Serie A, Inter deklaron 245.6 milion humbje

Këshilli i Administrimit të Interit ka miratuar bilancin për sezonin e kaluar 2020/2021, që tashmë duhet të miratohet edhe nga asambleja e aksionerëve, që pritet të mblidhet në fund të tetorit.

Bilanci ka rezultuar në një humbje prej 245.6 milion eurosh, më e larta e të gjitha kohërave për një klub të Serie A, madje është kaluar edhe bilanci negativ i Juventusit, praj 210 milion eurosh.

Këto humbje kanë ardhur kryesisht si pasojë e mbylljes së stadiumit dhe uljes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me sponsorët.

Pavarësisht kësaj humbjeje të madhe, sezoni aktual po jep shenja jete. Rihapja e stadiumeve (ndonëse jo 100%), fitimet nga transferimet e lojtarëve dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të reja me sponsor ndërkombëtarë po sjell një rritje të vazhdueshme të markës Inter. / Oversport.tv