Blindohet mesfusha e Romës, verdhekuqtë zyrtarziojnë mesfushorin francez

Roma ka përforcuar repartin e mesfushës me transferimin më të ri në këtë merkato vere. Houssem Aouar është lojtari më i ri i kryeqytetasve dhe që nga sezoni i ardhshëm do të veshë fanellën verdhekuqe.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Roma përmes një postimi në rrjetet sociale të klubit ku prezantohet mesfushori francez. 24-vjeçari është larguar nga Olympique Lyon si një lojtar i ri pasi i përfundoi kontrata dhe nuk rinovoi me klubin e tij.

Aouar tashmë ka firmosur një kontratë me Romën që do ta mbajë të lidhur me klubin deri në vitin 2028. Sezoni aktual nuk ka qenë nga më të mirët për mesfushorin francez pasi ka arritur të bëjë vetëm 16 paraqitje në Ligue 1. /oversport.tv

Foto: AS Roma, Twitter