Bollëk dhe freski para derbit, tani është Interi i Inzaghit

Interi është rifutur në shinat e duhura për të çuar përpara një sezon pozitiv. Dhe këtë, trajneri i ri, Inzaghi e bëri pa ndryshuar shumë gjëra. Cilësi, bollëk, fizik dhe gola. Këto janë armët e Interit të Simone Inzaghit për të ndjekur Milanin mbrëmjen e së dielës, në derbin që vendos shumë për kreun e klasifikimit.

Me 3 pikët në transfertën me Sheriff, zikaltrit kanë rritur së tepërmi entuziazmin në ekip për kalimin e grupit, teksa tanimë e zgjidhin gjithçka me këmbët e tyre. Jo vetëm kaq, por Interi i Inzaghit vjen në derbi edhe me më shumë freski dhe energji të kursyera, teksa në Champions kishte pesë ndryshime nga sfida e fundjavës me Udinesen. Me rezultatin e arritur, trajneri arriti të kursejë energji edhe për të tjerë lojtarë të rëndësishëm. Armë e shtuar për derbin ndaj Milanit.

Nëse trajneri i Milanit, Pioli, shprehet se Inter mbetet favorit për të fituar Serie A në fund të sezonit, distanca prej shtatë pikësh në favor të kuqezinjve e bën derbin të jetë udhëkryqi i parë i rëndësishëm. Sidomos për Interin, i detyruar të fitojë ose të paktën të mos humbasë për të mos i rrëshqitur tej mase kreu.

Të paktën në dy ndeshjet e fundit, por jo vetëm, trajneri Inzaghi ka qenë i fokusuar mbi të gjitha edhe te pjesa “jashtë fushe” për të menaxhuar energjitë dhe me gjithë ndryshimet në formacion, rezultatet kanë ardhur. Rrotacionet e përdorura prej kohësh nga Inzaghi, janë bërë të mundura edhe falë karakteristikave të lojtarëve, që për momentin Piolit i mungojnë te kuqezinjtë.

Me këtë të fundit, i detyruar që të mos ketë… bollëk zgjedhjesh. I gjithë grupi në dispozicion të Inzaghit, ka bërë të mundur që me secilin ndërrim apo element të përzgjedhur për të luajtur, rezultatet të vijnë.

Kundër Sherifit së bashku me Brozovic dhe Barella, pamë një Vidal në formë, gati për të qenë vendimtar. Sanchez dha gjithashtu përgjigje të mira në minutat e fundit. Edhe krahët janë përgjigjur pozitivisht në mënyrën se si luajnë zikaltrit: nëse luan Dimarco apo Perisic dhe nga ana tjetër Darmian apo Dumfries është më shumë një çështje taktike e studiuar nga stoli dhe jo për të shtuar apo hequr cilësi.

Përpara, siguri janë Dzeko dhe Lautaro, por Correa – një besnik i Inzaghit dhe një bishë e zezë e Milanit – ka treguar se mund ta nisë si titullar pa shumë pengesa.

E gjithë kjo për meritë të stafit teknik të zikaltërve, i njohur që nga koha kur ishte te Lazio ku krenohej çdo herë për freskinë fizike të lojtarëve dhe dëmtimet e pakta. Për pjesën tjetër u deshën vetëm disa javë për të parë Interin e Inzaghit dhe kundër Milanit do të jetë një betejë e vërtetë. /Oversport.tv