Bologna arrin fitoren e tretë radhazi, përmbys në shtëpi Torinon

Bologna mposht me përmbysje Torinon në “Renato Dall’Ara” dje triumfon me rezultatin e ngushtë 2-1. Të besuarit e Tiago Mottës regjistrojnë fitoren e tretë radhazi dhe hedhin pas krahëve startin e dobët të sezonit. Golit të Lukic me 11-metërsh, iu përgjigjën Orsolini dhe Posch.

Ndeshja nis mirë për Bolognan që fillon të rrezikojë për të prishur ekuilibrat e takimit. Megjithatë, për të realizuar golin e parë të ndeshjes mendon Sasa Lukic që kalon në avantazh Torinon falë një 11-metërshi. Ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes me këtë rezultat, ndërsa në pjesën e dytë është Bologna më kërkuese.

Të besuarit e Mottës hidhen në sulm për të gjetur golin e barazimit. Në minutën e 64-t është Ricardo Orsolini që vendos baraspeshën dhe i çon shifrat në 1-1. Goli i fitores ndërkohë vjen nga mbrojtësi Posch i cili vulos edhe rezultatin final të takimit. Ndeshja përfundon me këto shifra dhe Bologna del me pikë të plota nga kjo sfidë.

Me këtë fitore Bologna ngjitet në kuotën e 11-të pikëve, ndërsa Torino qëndron me 12 pikë. /oversport.tv

Foto: Bologna Fc 1909, Twitter