Leonardo Bonucci i ka rënë drejt e drejt. Mbrojtësi i Juventusit ka vënë në dukje një nga problemet te bardhezinjtë, që u vetëkënaqën pas transferimit të Cristiano Ronaldos dhe menduan se u mjaftonte t’i jepnin topin portugezit dhe do fitonin.
Bonucci, në intervistën e dhënë për The Athletic, thekson se grupi është ai që ngre individin, sikurse edhe e pranon se Ronaldo pati një impakt të madh në skuadrën që sot drejtohet nga Massimiliano Allegri.
“Kjo është ajo gjëja, ideja që një lojtar – qoftë edhe më i miri në botë – mund të garantojë fitoret e Juventusit. Prania e Cristianos kishte një ndikim të madh tek ne. Vetëm të stërviteshe me të të jepte diçka plus.
Në mënyrë të pandërgjegjshme lojtarët filluan të mendojnë se prania e tij ishte e mjaftueshme të fitonim ndeshjet. Ramë pak në punën tonë të përditshme, te pjesa e përulësisë, sakrificës, dëshirës për të qenë gati për shokun e skuadrës ditë pas dite. Gjatë viteve të fundit mund ta shikoni këtë.
Ndoshta u mor e mirëqenë se nëse i japim topin Cristianos, do i fitonte ndeshjen për ne. Cristiano kishte nevojë për ekipin aq sa ne kishim nevojë për të. Duhet të ketë një kompromis që është ekipi ai që ngre individin, edhe nëse ai individualisht është lojtari më i mirë në planet”, tha Bonucci mes të tjerash. / oversport.tv