Bonucci: Vitin e kaluar luanim për Ronaldon, Interi s’e meritoi titullin

“Ronaldo bëri zgjedhjen e tij dhe ne e respektuam atë. Vitin e kaluar skuadra luante për të, ndërsa tani grupi duhet dhe po gjen shpirtin që Juventusi kishte përpara se të vinte ai”. Leonardo Bonucci rikthehet të flasë për largimin e Cristiano Ronaldos në një intervistë për “Prime Video”, që nesër do të transmetojë Zenit-Juventus, ndeshje e vlefshme për javën e tretë të Champions-it.

Ai gjithashtu krahason edhe Pirlon me Allegrin. “Vitin e kaluar nuk e mbrojtëm dot titullin kampion. Të tjerët e fituan sepse e humbëm ne dhe jo për meritë. Me Allegrin kjo skuadër duhet të rigjejë shpirtin dhe të luajë në vështirësi”, thotë ai.

Prapaskena- Mbrojtësi Italian ka folur edhe për një mundësi që kishte për të luajtur me Zenitin. “Mund të shkoja 10 vite më parë. Conte më tha se isha i fundit në hierarki dhe duhet të gjeja një skuadër tjetër. Por për krenari qëndrova dhe u bëra i rëndësishëm. Champions? Do të doja të riluaja finalen kundër Realit. Aty bëmë një pjesë të parë të mirë, pastaj e lëshuam terrenin. Me Barcelonën nuk kishim asgjë për të humbur sepse ishin ekip jashtëtokësorësh. Shpresoj që të kem një finale tjetër në Champions”, përfundoi Bonucci. /oversport.tv