Boston merr hak ndaj Golden State, Chicago shkëlqen në Paris

Boston mposht Golden State në “TD Garden” dhe hakmerret për disfatën në Finalet e sezonit të kaluar të NBA. Celtics fitojnë në Overtime 121-118 përballë Warriors. Në sfidën e luajtur në Paris, Chicago Bulls kanë mposhtur 126-108 Detroit, ndërsa Timberwolves mposhtin në Minesota 128-126 Toronto Raptors. Sërish pa Kevin Durant, Brooklyn Nets mposhten nga Phoenix (117-112), ndërsa Philadelphia fiton në Portland (105-95).

Golden State kthehet në “TD Garden” për herë të parë që nga fitorja e titullit sezonin e kaluar, por kësaj radhe dorëzohet në overtime (kohën shtesë) përballë vendasve të Bostonit. Koha e rregullt përfundon në barazim 106-106 dhe në shtesë Celtics triumfojnë falë pikëve të shënuar nga Brown dhe Tatum. Ky i fundit është më i miri i sfidës me 34 pikë dhe 19 rebounde për nën-kampionët në fuqi të NBA. Nuk mjaftojnë 29 pikët e Curry që miqtë të evitojnë humbjen.

Phoenix rrezikon të hedhë poshtë avantazhin e 20 pikëve në periodën e fundit, por në fund reziston dhe fiton 117-112 përballë Nets. Bridges me 28 pikë dhe Ayton me 24 pikë dhe 14 rebounde janë më të mirët për Suns. Kyrie Irving me 30 pikë nuk shpëton dot Brooklyn nga humbja.

Russell me 25 pikë është lideri i Minnesotas në fitoren 128-126 përballë Torontos.

Në sfidën e NBA të luajtur në Europë, në Paris, Chicago mposht 126-108 Detroitin. Zach LaVine dhe DeMar DeRozan respektivisht me 30 dhe 26 pikë janë më të mirët e Bulls në këtë takim.

Philadelphia merr një fitore të rëndësishme në transfertë përballë Portland. Sfidën mes Embiid dhe Lillard, e fiton kamerunasi që shënon 32 pikë, ndërsa ylli i Trail Blazers ndalet në vetëm 25 pikë. / Oversport.tv