Boston Celtics tregon se ka mësuar si të mposhtë Miamin dhe arrin të fitojë 110-97 finalen e 5-të në Konferencën e Lindjes, duke çuar në 3-2 rezultatin e përgjithshëm të serisë së finaleve. Celtics marrin fitoren e dytë radhazi dhe rihapin çështjen e titullit kampion në Konferencë.
Nuk ka histori sfida e luajtur në “Td Garden”, pasi Tatum me shokë kalojnë shumë shpejt në avantazh (perioda e parë mbyllet (35-20) dhe më pas administrojnë gjithçka deri në fitoren finale 110-97.
Boston zhvillon një ndeshje të madhe nga ana sulmuese dhe 4 lojtarë shënojnë më shumë se 20 pikë. Derrick White realizon 24 pikë, Smart 23, ndërsa Tatum dhe Brown nga 21 pikë secili.
Nuk ka qenë mbrëmja e Miamit dhe yjet e saj nuk shkëlqejnë. Adebayo ndalet në 16 pikë, Jimmy Butler realizon vetëm 14 pikë dhe shënuesi më i mirë është Duncan Robinson me 18 pikë.
Një finale që dukej sikur kishte marrë fund (Miami kaloi në avantazh 3-0) është rihapur dhe mëngjesin e së dielës do të luhet ndeshja e 6-të e kësaj përballjeje shumë emocionuese. / Oversport.tv