Botërori i Klubeve, Al Ahly fiton me poker “finalen e vogël”

Al Ahly është ngjitur në shkallën më të ulët të podiumit në Botërorin për Klube pasi ka mposhtur në “finalen e vogël” Al-Hilal me rezultatin e thellë 4-0. Një ndeshje në limitet e perfektes, si dhe dy kartonat e kuq ndaj Al-Hilal e bënë shumë të lehtë fitoren e Al Ahly në këtë sfidë.

Ishte Yasser Ibrahim ai që zhbllokoi rezultatin që në minutën e tetë, ndërkohë që gjashtë minuta më vonë Pereira la Al-Hilal me dhjetë lojtarë. Gjithçka u bë më e lehtë për Al Ahly që gjeti edhe golin e dytë përsëri me të njëjtin shënues, Yasser Ibrahim.

Gjithçka u vështirësua edhe më shumë për Al-Hilal kur me karton të kuq u ndëshkua edhe Kanno në minutën e 28. Ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0 pas golit të shënuar në minutën e 40 nga Ahmed Abdelkader.

Në pjesën e dytë, Al Ahly u përpoq të kursente energjitë dhe e uli ndjeshëm ritmin e ndeshjes. Megjithatë, ishte El Solia që plotësoi pokerin duke shënuar edhe golin përfundimtar të këtij takimi.

Kështu, Al Ahly fiton finalen e vogël dhe renditet në vendin e tretë në Botërorin e Klubeve. /oversport.tv

BOTËRORI I KLUBEVE – VENDI I TRETË
Al-Hilal – Al Ahly 0-4
Shënues:
Yasser Ibrahim 8’, 17’ , Ahmed Abdelkader 40’ , El Solia 64’