Një tjetër eveniment i rëndësishëm botëror i peshëngritjes do të zhvillohet në Shqipëri. Kampionati Botëror i të rinjve në Peshëngritje 2023 do të zhvillohet në Durrës nga data 25 mars deri në 1 prill dhe do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.
Ky është Botërori i parë në histori që zhvillohet në vendin tonë, ndërsa pritet të sjellë në Shqipëri rreth 350 sportistë nga 57 shtete të botës. Një tjetër sukses i Federatës shqiptare të peshëngritjes dhe Komitetit Olimpik Shqiptar, që drejtohet nga Fidel Ylli.
Pas suksesit të arritur në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që u zhvillua në qershor të vitit të kaluar në Tiranë, dhe Kampionati Europian i Peshëngritjes për të Rinj U20 dhe U23 që u zhvillua në tetor në Durrës, Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) i besohet një tjetër event madhor ndërkombëtar.
Shqipëria do të garojë me 5 sportistë në këtë event madhor, 4 meshkuj dhe 1 femër. Të gjitha garat e këtij eventi të rëndësishëm do të mund ti ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. / Oversport.tv