Botërori në Tibo: Anglia apo Franca? Maroku apo Portugalia? Sot vendosen dilemat e fundit

Do të luhen sot dy ndeshjet e fundit çerekfinale të Kupës së Botës, që do të përcaktojnë edhe 2 biletat e fundit për në gjysmëfinalet e Botërorit, Katar 2022. Në orën 16:00 do të luhet ndeshja Marok-Portugali, ndërsa në mbrëmje në orën 20:00 supersfida Angli-Francë.

Maroku dhuroi surprizën në fazën e 1/8-ve të finales pasi eliminoi nga Botërori favoritët e Spanjës. Afrikanët synojnë të dhurojnë një tjetër surprizë ditën e sotme, duke synuar kualifikimin përballë Portugalisë. Maroku arriti për herë të parë në histori të sigurojë një vend mes tetë skuadrave më të mira të Botës dhe u bë skuadra e parë e kontinentit afrikan që kualifikohet në çerekfinale pas plot 12 vitesh.

Në krahun tjetër qëndron Portugalia, që pavarësisht situatës së Ronaldos, arriti të marrë një fitore të thellë përballë Zvicrës në turin e kaluar. Pas sukseseve në kampionatin europian dhe në Nations League, portugezët synojnë të fitojnë për herë të parë në histori Kupën e Botës, me një skuadër të mbushur plot me yje dhe talente.

Një betejë mes dy superfuqive europiane do të zhvillohet në orën 20:00. Anglia dhe Franca do të përplasin brirët për një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Kampionët në fuqi të Botës kanë bindur në ndeshjet që kanë luajtur deri tani në Katar dhe synojnë që të mbrojnë trofeun e fituar 4 vite më parë në Rusi. Mbappe është lideri i skuadrës së Didier Deschamps, por nuk mungojnë yjet e tjerë në formacionin e “gjelave”.

Anglia, ndonëse pa shumë bujë, mbetet gjithmonë një nga favoritët për të fituar Kupën e Botës. Gareth Southgate ka arritur të ndërthurë eksperiencën me talentin e të rinjve dhe sot më shumë se kurrë “3 luanët” besojnë se mund të kualifikohen mes 4 skuadrave më të mira të turneut.

Franca ka humbur dy përballjet e mëparshme në Botëror ndaj Anglisë në 1966 dhe 1982, por në sfidat e fundit anglezët kanë fituar vetëm një nga 8 ndeshjet që kanë luajtur kundër francezëve.

Mos humbisni asnjë event dhe shijojeni të gjithë botërorin Katar 2022 me #TIBO në kanalet RTSH 1 dhe RTSH Sport! / Oversport.tv