Botërori në Tibo: Debutojnë Brazili dhe Portugalia, në fushë edhe Zvicra dhe Uruguai

Dita e pestë e Botërorit do të sjellë 4 përballje shumë interesante në platformën Tibo. Skuadrat e grupeve G dhe H do të zbresin në fushë për të luajtur ndeshjen e parë në Katar 2022. Brazili dhe Portugalia do të bëjnë debutimin e tyre në Kupën e Botës.

Dita do të nisë me sfidën Zvicër-Kamerun në orën 11:00. Dy skuadrat përballen për herë të parë në një Botëror. Zviceranët të udhëhequr nga Xhaka dhe Shaqiri synojnë të nisin sa më mirë aventurën në Katar 2022, ndërsa afrikanët do të tentojnë surprizën.

Në orën 14:00 do të luhet takimi Uruguai-Kore e Jugut. 2 herë kampionët e Botës kërkojnë maksimumin e pikëve në debutimin në Botëror, të udhëhequr nga një grup lojtarësh me eksperiencë si Godin, Suarez apo Cavani.

Në orën 17:00 Portugalia e Ronaldos do të debutojë përballë Ganës në Katar 2022. E gjithë vëmendja e medias ka qenë e fokusuar te situata e sulmuesit me Manchester United, por portugezët theksojnë se kjo çështje nuk do të ndikojë dhe se skuadra është gati për premierën në Kupën e Botës.

Në mbrëmje në orën 20:00 është radha e Brazilit për të bërë debutimin në këtë turne. 5 herë kampionët e Botës do të sfidojnë Serbinë në ndeshjen e parë në Katar 2022. Dy skuadrat janë ndeshur në grup edhe 4 vite më parë, në një sfidë që u fitua 2-0 nga brazilianët.

Brazili bëri një paraqitje shumë të mirë në ndeshjet kualifikuese, ku grumbulloi 45 pikë në 17 ndeshje (14 fitore dhe 3 barazime). Amerikano-jugorët nuk kanë humbur asnjë nga 15 ndeshjet e fundit që kanë luajtur në grupet e Botërorit, disfata e fundit në këtë fazë të turneut ka ndodhur në vitin 1998 përballë Norvegjisë.

Brazili është një nga favoritët kryesorë për fitimin e turneu, por duhet theksuar se kanë kaluar 20 vite nga hera e fundit që Selecao ka ngritur Kupën. /Oversport.tv