Botërori në Tibo: Ndahen 2 biletat e fundit për në çerekfinale, në fushë Spanja dhe Portugalia

Do të luhen sot dy sfidat e fundit të fazës së 1/8-ve të finales së Kupës së Botës, që do të përcaktojnë edhe 2 skuadrat e fundit çerekfinaliste të Botërorit të Katarit.

Në orën 16:00 në platformën Tibo mund të ndiqni përballjen Marok-Spanjë, fituesi i së cilës do të sigurojë një biletë mes tetë më të mirave të turneut.

Afrikanët ishin një nga skuadrat surprizë të fazës së grupeve, pasi zunë vendin e parë në grupin F, duke lënë pas Kroacinë dhe Belgjikën. Maroku ka 8 ndeshje rresht që nuk njeh humbje (në të gjitha kompeticionet) dhe sot përballë Spanjës synon surprizën e madhe, një sukses historik që do ta kualifikonte për herë të parë në çerekfinalet e një Botërori.

Spanja nisi me shkëlqim aventurën e saj në Katar, duke mposhtur me goleadë Kosta Rikën, por në ndeshjet e tjera të grupit skuadra e Luis Enriques la shumë për të dëshiruar, veçanërisht në ndeshjen e fundit kundër Japonisë. Spanjollët kërkojnë të reagojnë, duke synuar një vend mes tetë më të mirave të Kupës së Botës. Dy skuadrat janë ndeshur edhe 4 vite më parë në Rusi në fazën e grupeve, në një sfidë që përfundoi në barazim 2-2.

Në mbrëmje Portugalia do të sfidojë Zvicrën për një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës. Portugezët kërkojnë të sigurojnë një biletë në turin tjetër turneut, por nuk do ta kenë të lehtë përballë zviceranëve që kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në ndeshjet e grupeve. Zvicra nuk ka fituar asnjëherë 3 ndeshje në një edicion të Botërorit dhe ka dështuar të shkojë në çerekfinale në 7 tentativat e mëparshme, por sot Shaqiri dhe Xhaka do të kërkojnë të shkruajnë historinë. Hera e fundit që Zvicra ka qenë mes tetë më të mirave të Botës ka qenë në vitin 1954.

Të dyja ndeshjet mund ti ndiqni në platformën Tibo. / Oversport.tv