Botërori në Tibo: Vazhdon spektakli i Katar 2022, e gjithë vëmendja tek Brazili

Do të vijnë ditën e sotme në ekranin e platformës Tibo, 2 sfida të tjera të fazës së 1/8-ve të finales së Kupës së Botës, Katar 2022. Tashmë kanë filluar ndeshjet me eliminim direkt dhe të gjitha skuadrat mundohen që të japin maksimumin, që të sigurojnë një biletë mes tetë më të mirave të Botërorit.

Në orën 16:00 do të luhet takimi Japoni-Kroaci. Aziatikët ishin skuadra surprizë e fazës së grupeve, pasi u renditën të parët në grupin e ferrit, duke lënë pas Spanjën dhe duke çuar në shtëpi para kohe Gjermaninë. Japonia fitoi me përmbysje 2-1 të dyja sfidat ndaj dy gjigandëve të kontinentit plak.

Japonezët do të mundohen të bëjnë një tjetër surprizë, duke synuar fitoren përballë Kroacisë. Ballkanasit u renditën të dytët në grupin e tyre, por arritën që ti rezistojnë Belgjikës në ndeshjen që vulosi eliminimin e “djajve të kuq” nga Katar 2022. Eksperienca anon nga kroatët, që synojnë ta shfrytëzojnë në maksimum që të sigurojnë një vend në çerekfinale.

Në mbrëmje është radha e Brazilit për të zbritur në fushë. 5-herë kampionët e Botës do të sfidojnë Korenë e Jugut për një vend në çerekfinale. Neymar rikthehet në dispozicion të Tites për këtë sfidë. Hera e fundit që Brazili është eliminuar në këtë fazë të turneut, ka qenë 32 vite më parë, në Botërorin e zhvilluar në Itali, ku një gol i Claudio Caniggias i dhuroi fitoren 1-0 rivalëve të Argjentinës. Të dyja sfidat e sotme mund ti ndiqni në platformën Tibo. / Oversport.tv