Botka: Uzuni ka potencial të madh, falë Zotit e kam në skuadër! Finale me Shqipërinë

Hungaria përballet me Shqipërinë të shtunën në “Puskas Arena”, prej orës 20:45.  Shqipëria renditet në vendin e dytë me 2 pikë më shumë se Hungaria dhe do tentojë të thellojë diferencën e pikëve. Hungarezët kanë të njëjtin synim, me shpresën për të kapur minimalisht vendin e tretë.

Në lidhje me përballjen me Shqipërinë, për “Nemzetisport” ka dhënjë një intervistë mbrojtësi i Hungarisë Endre Botka, i cili luan me Myrto Uzunin me Ferencvaros. Anësori flet për duelin me beratasin e kombëtares shqiptare, si dhe për ecurinë e Hungarisë në vazhdim.

Kush e fiton zakonisht duelin Botka-Uzuni në stërvitjet e Ferencvaros?

–Në shumicën e kohës falenderoj Zotin që luajmë bashkë (qesh). E vërteta është se ne jemi zakonisht në të njëjtën skuadër dhe nëse takohemi si kundërshtar sigurisht që Myrto do tregoje veten në në anën tjetër. Për sa kohë do përballemi me njëri-tjetrin, topi do të jetë i imi.

A është shoku yt i skuadrës një lojtar i mirë?

–Uzuni ka një potencial të madh dhe përveç kësaj e nuhat shumë golin. Në një mënyrë a tjetër ai del para portës, duke përfituar nga situatat dhe duke finalizuar. Për të mos përmendur pastaj që shpesh ndihmon edhe në mbrojtje.

E llogarisni fitoren?

–Sigurisht, gjithçka varet nga nesër dhe nëse nuk fitojmë mund të dorëzohemi. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të marrim fitoren. Na dhemb që do luajmë pa tifozë, një disavantazh i madh.

Me sa pikë do ishit të kënaqur përballë Shqipërisë dhe Anglisë?

–Vëmendjen e kam vetëm tek ndeshja e nesërme dhe më intereson vetëm fitorja. Nëse fitojmë, mund të fokusohemi të qetë për një performancë të mirë në Ëembley.

Nëse jeni në minutën e 93’ dhe Uzuni shkon drejt portës dhe ju duhet ta ndaloni, diçka që mund t’iu penalizojë ju dhe skuadrës. Çfarë do bënit?

–Jam i vetëdijshëm që e kam një karton të verdhë. Nuk dua të marr një tjetër përballë Shqipërisë, por nëse duhet të bëj një ndërhyrje të parregult, nuk do të shmangesha. Nëse do marr të kuqin do e bëj për ekipin, qëllimi është të fitojmë.

A keni folur me Uzunin, shokun dhe kundërshtarin tuaj nesër?

–Nuk kemi folur që të dielën e kaluar, kur iku nga këtu. Do të vijë këtu së shpejti dhe le të bëhemi gati. I kam thënë të vijë i qetë, mos të përfundojë në tribunë minutën e tretë (qesh). Sigurisht që ne vetëm ngacmonim njëri-tjetrin./ oversport.tv