Është nxehur merkatoja e pilotëve në Formula 1. Pas lajmit për tërheqjen e Kimi Raikkonen në fund të sezonit, Alfa Romeo zyrtarizon Valtteri Bottas si pilot të skuadrës për sezonin 2022 në krah të pilotit tjetër Antonio Giovinazzi.
Lajmi kishte disa javë që qarkullonte, por tashmë është vetë skuadra që e bën zyrtare ardhjen e finlandezit, që do të zërë vendin e bashkëatdhetarit Raikkonen.
Zyrtarizimi i martesës mes Bottas dhe Alfa Romeos mund të sjellë një efekt domino në merkaton e pilotëve, duke nisur që nga vendi bosh që ka mbetur tek Mercedes, që nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë të madhe, do të zihet nga George Russell.
Paraqitjet e këtij të fundit me Williams kanë bindur kampionët në fuqi për konstruktorë në Formula 1, që t’a shohin si zgjedhje të parë për t’i besuar vendin e Bottas. Lakohet edhe emri i Nick DeVries, që nëse nuk shkon tek Mercedes, mund të firmosë tek Williams. /Oversport.tv