Brazili jashtë Botërorit! Kroacia është gjysmëfinalistja e parë, kalon më tej fal penalltive

Një tjetër surprizë vjen nga Botërori i Katarit pasi Brazili eliminohet në fazën e çerekfinaleve pas penalltive. Në gjysmëfinale kalon Kroacia që tregohet më e qartë nga pika e bardhë e penalltisë duke mos gabuar asnjë, e nga ana tjetër amerikano-latinët gabuan me Rodrygo dhe Marquinhos.

Brazili është gjatë gjithë 90 minutave më kërkues se Kroacia, por përballë është një Livakovic në superformë. Portieri i Kroacisë arrin të ndalë fillimisht Vinicius, e më pas Neymar dhe Richarlison duke mbajtur portën e paprekur.

Nga ana tjetër Kroacia nuk qëndron e mbyllur mbrapa, por kërkon të shfrytëzojë hapësirat e lëna nga mbrojtja e Brazilit. Megjithatë, asnjë goditje në portë nuk regjistrohet nga Kroacia në kohën e rregullt të takimit, pavarësish se nuk munguan tentativat.

Në kohën shtesë, është Neymar që i jep avantazhin Brazilit duke realizuar në fundin e shtesës së parë. Ylli brazilian kombinon bukur me shokët e tij në limitet e zonës, driblon portierin Livakovic dhe me portën e bashtisur arrin të çojë topin në rrjetë.

Në shtesën e dytë, Kroacia nuk ka ndërmet të dorëzohet dhe për të vendosur baraspeshën mendon Petkovic që realizon në goditjen e parë në portë që ballkanasit bëjnë. Kështu edhe koha shtesë përfundon në barazim dhe gjysmëfinalisti i parë duhet të vendoset nga “ruleta ruse” e futbollit.

Nga pika e bardhë e 11-metërshit tregohen më të qartë kroatët që nuk gabojnë asnjë nga katër penalltitë e goditura. Nga ana tjetër Rodrygo gabon penalltinë e parë për Brazilin, e më pas është Marquinhos që godet shtyllën duke nisur festën për kroatët. /oversport.tv