Vllaznia kërkon tre pikët ndaj Skënderbeut dhe trajneri Thomas Brdaric ka udhëzuar lojtarët e tij të lënë sa më pak hapësira, pasi korçarët me daljet e shpejta janë të rrezikshëm.
“Nuk duhet t’i lejojmë hapësirat që kërkojnë dhe jemi gati për këtë ndeshje të radhës me Skënderbeun. Mendoj se përballja me Partizanin ishte e fortë dhe ata kanë dëshirë të fitojnë me ne.
Ishin mirë në mbrojtje, ne lamë hapësira në prapavijë dhe ata përfituan. Na mungon Da Silva këtë ndeshje, kurse Fallow Diagne do të luajë”, shprehet Brdaric.
Nuk munguan as polemikat pas ndeshjes me Partizanin dhe një ditë më parë Ilir Daja u shpreh se Vllaznia ishte inekzistente në pjesën e dytë. Gjermanit nuk i ka pëlqyer diçka të tillë dhe reagon i nxitur nga gazetarët në konferencë.
“Secili duhet të shohë ekipin e vet, ne kemi pesë pikë dhe Partizani dy. Nëse arbitri nuk do kishte gabuar te goli për pozicionin jashtë loje, ne do kishim marrë tri pikë dhe do flisnim ndryshe. Ajo shkoi dhe tani të përqëndrohemi te Skënderbeu”, përfundon gjermani. / abcnews.al