Brdaric: Duam t’i shkaktojmë humbjen e parë Dinamos  

Në prag të sfidës Vllaznia-Dinamo ka folur trajneri i shkodranëve Thomas Brdaric. Kroati u ndal kryesisht te rëndësia e ndeshjes, rikthimi në “Loro Borici” dhe dëshira e tij për t’i shkaktuar humbjen e parë kryeqytetasve.

Sulmi: “Për mua ka shumë gjëra që janë më shumë vendimtare se sulmi. Vendimtare është skuadra, grupi, janë 11 lojtarë plus stafi, stoli, tifozët dhe për ta ndërtuar këtë Vllazni kryefjala ka qenë grupi”.

Mungesat: “Do të ndikojnë, do të na duhet të bëjmë zëvendësime, por kemi më shumë se 11 lojtarë në skuadër dhe çdo kush do të marrë kohën e vet, lojtarët duhet të shfrytëzojnë minutat”.

Golat e pësuar: “Në përgjithësi mendoj se mënyra se si punojmë është shumë pozitive, duhet të zgjidhim disa probleme, kjo është mënyra ku jemi përqendruar më shumë gjatë javës. Deri tani jemi në proces zhvillimi dhe duhet të jemi më të përqendruar në fushë, jemi të aftë të mbrojmë me të gjithë lojtarët shumë mirë. Duhet të jemi më shumë se 100% ndaj Dinamos, sepse futbolli sot kërkon të jemi agresiv, të ndjekim topin, të bëjmë presing. Dinamo ka treguar që luan mirë futboll, dhe nesër do të jemi më shumë se 100% për të marrë më të mirën”.

Ndeshja në shtëpi: “Të luash gjashtë ndeshje jashtë fushës tonë është e vështirë, duhet ta shijojmë ndeshjen nesër sepse do të luajmë përballë tifozëve tanë. Duhet tu tregojmë të gjithë që ne duam të fitojmë”.

Dinamo ende e pamposhtur: “Duam t’ia shkaktojmë ne humbjen e parë Dinamos. Mendoj se ekipet janë të balancuara dhe do të mundohemi të jemi në ditën tonë të mirë për të treguar punën që kemi bërë gjatë gjithë javës”. /oversport.tv