Brdaric: E dimë si mundet Kastrioti, Vllaznia mëson nga e shkuara

Vllaznia luan nesër kundër Kastriotit dhe trajneri Thomas Brdaric para mediave ka deklaruar: “Jemi gati, të përqendruar për t’u përballur me Kastriotin nesër. Duhet të vazhdojmë atë që nisëm në Kupë kundër Pogradecit. Lojtarët duhet të jenë të qetë, të motivuar dhe të përqendruar ashtu siç ka qenë edhe në stërvitje gjatë gjithë kësaj jave. Me qetësi dhe nëse nesër luajmë ashtu siç dimë, atëherë do të marrim një rezultat pozitiv”.

Vjet kriza e Vllaznia nisi kundër Kastriotit dhe trajnerit Brdaric ia kujtojnë në konferencën e sotme. “Është një shenjë që nuk duhet të ndodhë njëlloj si vjet. Është një sfidë e re, një vit i ri, një grup tjetër lojtarësh. Ajo që dua është që lojtarët të japin maksimumin dhe të bëjnë më të mirën t’i shkaktojnë humbjen Kastriotit, që e gjithë kjo punë dhe mund të shpërblehet.

Në lidhje me Kastriotin, gjermani shtoi: “Kemi besim dhe jemi një ekip që mësojmë nga e shkuara. E dimë se si luajnë ata. E dimë edhe si duhet të luajmë kundër tyre, në mënyrë të marrim tre pikët që duam”.

“Kur shënon 6 gola kundër një ekipi që luan në mbrojtje është gjë e mirë. Ne punojmë për të gjetur hapësira ndaj ekipeve të tilla. Duhet të dimë si të futemi në zonë, të fitojmë duele dhe të bëjmë më të mirën që gjërat të shkojnë si duhet. Tani të mendojmë për ndeshjen me Kastriotin.

“E nisim nesër me 11 lojtarë, ata janë mjaft të motivuar. Të gjithë duan të luajnë, ka edhe nga lojtarë që mund të bëjnë diferencën kur vijnë nga stoli. Dua të shoh në sytë e lojtarëve motivim dhe përqendrim për të marrë maksimumin nga ata dhe për të marrë maksimumin e asaj që duam”, përfundoi Brdaric. / oversport.tv