Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ka folur në një konferencë për shtyp për ndeshjen e radhës që skuadra e tij do të luajë nesër në orën 16:45 në “Loro Boriçi” përballë Partizanit. Gjermani vlerëson kundërshtarin, por thekson se skuadra e tij kërkon maksimumin e pikëve në këtë sfidë.
“Do jetë një një sfidë e madhe për ne, luajmë në fushën tonë, në qytetin tonë dhe me tifozët tanë. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë të mundshme. Kemi një ecuri të mirë rezultatesh, megjithatë do jetë një sfidë tjetër me Partizanin edhe ata kanë pasur rezultateve pozitive në ndeshjet e fundit.
Megjithatë do të futemi në fushë për të marrë tre pikët. Numri i tifozëve do të varet nga kushtet atmosferike, ndaj shpresoj që të jetë kohë e mirë. I jam falënderues çdo tifozi që vjen në stadium, qoftë një tifoz të vijë apo shumë më shumë, unë sërish do i falënderoj dhe do u jem shumë mirënjohës.
Nëse stadiumi do jetë i tejmbushur do jetë një shtysë shumë më shumë edhe për ne. Nuk mendoj se është koha e duhur për të folur për merkaton e janarit. Duhet të përqendrohemi te ndeshja me Partizanin”, ka thënë trajneri i shkodranëve, Brdariç. /Oversport.tv