Bregu: Kisha oferta nga ekipet turke, Martini mund ta nxjerrë Teutën nga ajo pozitë

Sulmuesi i Boluspor, Dejvi Bregu, ka folur live dhe ekskluzivisht në emisionin “Ti Bo Gol”, në Oversport dhe platformën Tibo.

“Në Shqipëri jam formuar si futbollist dhe aq sa kam mundësi e ndjek superioren. Normalisht që emocionet e kampionatit shqiptar më mungojnë patjetër. Te Boluspor ndodhemi në vendin e 8-të. Objektivi i klubit është që të arrijmë në playoff. Në fillim të sezonit kam pasur disa luhatje pasi u ndërrua trajneri.

Me lojtarët shqiptarë që luajnë në Turqi, flas më shumë me Roshin, me Rrocën pasi kemi luajtur disa vite bashkë. Pothuajse kam kontakte me të gjithë lojtarët shqiptarë që janë këtu.

Nuk e mendoja që Teuta do të arrinte në këto pozita dhe më vjen keq sepse nuk e meriton atë vend. Mendoj se me ardhjen e Martinit do të largohen nga ajo pozitë. Karriera e lojtarëve shqiptarë sa më lart të jetë në Europë, aq më mirë është për kombin tonë.

Në këtë merkato kam pasur ofertë nga një ekip turk, por ekipi im duke parë gjendjen time pozitive nuk më larguan. Që kur jam larguar nga Shqipëria nuk kam pasur asnjëherë oferta nga Superioria. Por jemi në futboll dhe çfarë nuk mund të ndodhë.

Kushtet në Turqi janë ndryshe nga Shqipëria duke parë infrastrukturën. Në Shqipëri mbaj kontakte me Karabecin, Aleksin dhe me të gjithë shokët e ekipit që kam pasur te Teuta. Nuk më pëlqen të them se Teutës i nevojitet një Dejviu Bregu.

Ngjitjen në Superiore do ia uroja Flamurtarit, por jo se do harroja Skënderbeun. Aty kam kaluar dy vite fantastike në karrierën time. Megjithatë ia uroj ngjitjen në elitë të dy ekipeve sepse kam kaluar emocione si futbollist.” – tha Bregu /oversport.tv