Brozovic: E doja këtë rinovim, nuk kam folur me asnjë skuadër tjetër

Erdhi gjatë merkatos së janarit në vitin 2015 dhe me kalimin e sezoneve u kthye në lojtarin simbol të mesfushës së Interit. Marcelo Brozovic ka zgjatur bashkëpunimin me klubin zikaltër, duke firmosur rinovimin e kontratës deri në vitin 2026.

“Jam shumë i lumtur që kam zgjatur kontratën me Interin. E doja shumë këtë rinovim dhe klubi e dinte. Nuk kam dashur kurrë të flas me asnjë skuadër tjetër për respekt të Interit dhe tifozëve të saj.

Falënderoj klubin, sot jam me të vërtetë i lumtur. Gjithmonë u kam thënë agjentëve të mi, që nuk do të flisja me asnjë klub tjetër, vetëm në rast se Interi nuk do të donte të më rinovonte kontratën”, ka thënë mesfushori për kanalet zyrtare të klubit.

“Jam shumë krenar që jam pjesë e këtij grupi dhe e këtij klubi që ka një histori të madhe. Gjithmonë ka qenë nder dhe privilegj të luaja për Interin. Gjithmonë e kam respektuar dhe dashur këtë klub dhe kështu do të jetë gjithmonë.

Duam që të arrijmë objektiva të mëdha dhe do të japim maksimumin që të fitojmë titullin dhe Kupën e Italisë. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me tifozët dhe e prisja mbështetjen e tyre. Mezi pres të zbres në fushë dhe të festoj bashkë me ta”, ka thënë ndër të tjera Brozovic. / Oversport.tv