Bruce drejt pankinës së 1000-të në karrierë, drejtuesit konfirmojnë merkaton e frikshme

Steve Bruce do të dalë në konferencën për shtyp në prag të sfidës Newcastle-Tottenham. Një sinjal i rëndësishëm, që do të çertifikojë prezencën e tij në pankinë të dielën pasdite, që do të jetë prezenca e tij e 1000-të në pankinë në karrierë.

Bruce ka stërvitur normalisht skuadrën gjatë kësaj jave dhe të premten do të flasë para mediave. Nga ana e drejtuesve të klubit nuk ka patur deklarata të reja në lidhje me të ardhmen e trajnerit, pas fjalëve të Amanda Staveley, drejtoreshës së re, që në momentin e ndryshimit të pronësisë deklaroi se do të kishte një takim me teknikun.

Vetë Bruce e di se i ka ditët e numëruara në krye të Newcastle, duke pranuar për “The Telegraph”: “Është e qartë se mund të duan një trajner të ri për të filluar. Zakonisht pronarët e rinj veprojnë kështu. Kam aq kohë që trajnoj, që ta kuptoj vetë këtë”.

Ndërkohë, Amanda Staveley ka konfirmuar investimet e mëdha për përforcimin e skuadrës: “Do të investojmë shumë, por brenda rregullave dhe limiteve të Premier league. Duhet t’u përmbahemi rregullave të Fair Play Financiar, por është e qartë se do të investojmë, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe besoj se këtë e mendojnë të gjithë. Nuk do investojmë vetëm në futbollistë, por në gjithçka”. / Oversport.tv