Buffon si Maradona dhe Bryant: Një fanellë e dedikuar vetëm për të

Në prag të përvjetorit të 26-të të debutimit të Gianluigi Buffonit në Serie A, klubi i Parmës ka prodhuar një fanellë të veçantë për portierin, që do të ngjasojë me dizajnin e fanellës që ka veshur numri 1 i skuadrës në sfidën Parma-Milan të 19 nëntorit të vitit 1995.

Buffon do të veshë këtë fanellë të veçantë në ndeshjen e Serie B kundër Cosenzas, që Parma do të zhvillojë të dielën e 21 nëntorit.

Portieri është kthyer si një hero në skuadrën ku hodhi hapat e para në karrierës dhe pas sukseseve të shumta me fanellën e Parmës, Juventusit dhe kombëtares italiane, klubi emilian kërkon që ta festojë në mënyrë të veçantë këtë përvjetor.

Një uniformë e dedikuar për një atlet të vetëm është një nder që e kanë patur shumë pak sportistë. Napoli përdori kohët e fundit një fanellë të dedikuar për Maradonën, ndërsa në NBA, Lakers-at i dedikuan një fanellë të veçantë Kobe Bryant, që humbi jetën në një aksident në vitin 2020. /Oversport.tv