Kemi mbërritur në ditën e fundit të ndeshjeve të grupeve të Kampionatit Europian të Volejbolllit për meshkuj që transmetohet live në Oversport. Janë përcaktuar 14 skuadrat që janë kualifikuar për në fazën e 1/8-ve të finales dhe sot do të ndahen edhe 2 biletat e fundit për në këtë tur.
Në grupin B sfida Bullgari-Bjellorusi kthehet në vendimtare për biletën e fundit që të çon në fazën tjetër të kompeticionit. Bjellorusët kanë një pikë më shumë se bullgarët, por fituesi i kësaj sfide direkte do t’i bashkohet Italisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke, që tashmë janë kualifikuar.
Republikë Çeke-Itali është takimi tjetër i grupit. Italianët synojnë fitoren e pestë në po aq ndeshje të luajtura, ndërsa një sukses i çekëve do t’i ngjiste ata në vendin e dytë në grup.
Një biletë e lirë për në fazën e 1/8-ve të finales ka mbetur edhe në Grupin D. Sllovakia dhe Estonia synojnë suksesin në ndeshjet respektive kundër Gjermanisë dhe Francës, që të mund t’i rrëmbejnë vendin e katërt Letonisë, e cila i ka përfunduar ndeshjet e veta në grup.
Të treja skuadrat kanë shanset e tyre për kualifikim, por rezultatet e ndeshjeve të sotme do të tregojnë se kush do ti bashkohet Francës, Gjermanisë dhe Kroacisë në turin tjetër të Kampionatit Europian të Volejbollit.
Dy sfidat e grupit B, Bullgari-Bjellorusi në orën 16.00 dhe Republikë Çeke-Itali në orën 19.00 do të transmetohen Live dhe eksluzivisht në Oversport.