Bushi analizon miqësoret e U-21: Morëm sinjale pozitive, kemi shumë talent në grup. Ja ku duhen përmirësime

Kombëtarja shqiptare U-21 luajti dy miqësore në transfertë javën e kaluar, teksa fillimisht u përball me San Marinon e më pas me Malin e Zi në Podgoricë. Trajneri Alban Bushi dhe stafi teknik patën mundësi të testonin kryesisht lojtarë të rinj që mund të jep pjesë e këtij ekip në edicionin e ri, teksa sipas tekniku nga këto ndeshje u morën shumë sinjale pozitive nga të rinjtë.

Duke folur për Fshf.org, Bushi analizuar në detajet dy miqësoret dhe paraqitjen e kuqezinjve, teksa flet edhe me emra duke evidentuar lojtarët që paraqesin potencial të madh në të ardhmen. Gjithashtu, trajneri flet edhe për pikat e dobëta të kombëtares U-21 dhe për faktin se po punohet për të afruar edhe elementë të tjerë të talentuar nga jashtë vendit.

Sa i takon objektivave, Bushi nuk ka asnjë dyshim se kjo skuadër mund të tentojë kualifikimin, nëse do t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion dhe nuk do të ketë probleme me dëmtimet.

Sinjalet pozitive nga të rinjtë – “Do të doja faktikisht t’i kisha të gjitha lojtarët në dispozicion, por duke se ndeshjet nuk ishin në datat e UEFA-s dhe FIFA-s nga ata lojtarë që do të jenë pjesë e ekipit në edicionin e ri mungonin pothuajse 10 lojtarë. U munduam të marrim lojtarë të tjerë, të cilët edhe ata janë të perspektivës me moshë shumë të vogël thuajse me diferenca 4-5 vjeçare.

Lojtarët me moshë të vogël në fakt u paraqitën mirë, ku mund të përmend Sulejmanin, Kurtin e Apolonisë apo Ismaili i Anderlehtit. Morëm sinjale shumë pozitive pavarësisht se miqësorja me San Marinon në letër ishte një ndeshje e lehtë, por lojtarët dhanë maksimumin dhe mund të shikoje që përfaqësojnë një të ardhme të mirë për Shqipërinë. Sepse ishin lojtarë që të jepnin garanci për të ardhmen duke qenë se janë të datëlindjes 2005-2006 dhe mund të luajnë edhe sezonet e tjera me këtë ekip moshash”.

Aspektet për t’u përmirësuar – “Na vlejtën shumë këto dy miqësore për të parë sa më mirë se çfarë defektesh kemi ne aktualisht. Mendoj se pika e dobët që ne kemi, duke i analizuar ndeshjet në tërësi bashke me stafin, është intensiteti i lojtarëve në fushë dhe duelet një me një me kundërshtarët. Pra shumë prej lojtarëve tanë, sidomos në repartin e mbrojtjes dhe në mesfushë, nuk jemi shumë agresivë dhe në duelet një me një driblohemi shpejt.

Këtu duhet të punojmë fort, por duhet të punojnë shumë me klubet e tyre në këtë aspekt, sidomos nga mosha 15 vjeç e lart, sepse ne e shohim edhe në përgjithësi tek ekipet e moshave të kampionatit shqiptar, që nuk ka intensitet shumë të lartë, pavarësisht se kampionati shqiptar duhet thënë që është në rritje”.

Emrat premtues – “Mora sinjale pozitive nga disa lojtarë e në veçanti nga Mjaki e Kurtulan, që të dy shumë të mirë, ndonëse Kurtulan luajti pak sepse ishte i dëmtuar, ndërsa Mjaki është një mbrojtës të cilin mund ta ketë edhe Kombëtarja A shumë shpejt në dispozicion. Lojtar i Groningenit në Holandë, shumë i fortë në krahun e djathtë, shumë shpërthyes e i shpejtë, që sigurisht ka nevojë për t’u përmirësuar.

Mendoj se do t’i vlejë Shqipërisë, ashtu si edhe Kurtulan apo edhe lojtarë të si Pajaziti dhe Mitaj, të cilët njihen, janë shumë cilësore dhe besoj se shumë shpejt do të jenë gati për Kombëtaren A.

Priten prurje të reja? – “Pothuajse i kam parë të gjithë lojtarët sepse patëm edhe miqësoret e mëparshme me Kroacinë dhe Maqedoninë e Veriut. Grupi nuk ka qenë i plotë, por në mendjen time unë e di shumë mirë se çfarë zgjedhjesh duhet të bëj. Kemi një ekip shumë të fortë dhe nëse të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm, nuk do të kemi dëmtime, kemi një grup jashtëzakonisht shumë të fortë.

Do të kemi edhe 2-3 prurje shumë të forta në muajt e ardhshëm nga kashtë Shqipërisë, pasi po punojmë intensivisht për t’i afruar. Uroj shumë që t’ia dalim për t’i bërë pjesë të skuadrës sonë dhe besoj se do ta forconin më shumë ekipin U-21, duke e bërë shumë të fortë këtë edicion me ato lojtarë që mund t’i afrojmë. Kemi edhe lojtarin e Panathinaikosit, Frrokun, i cili pësoi një dëmtim të rëndë dhe do të mungojë thuajse 1 vit, por është një lojtar që ka potencial të madh që do t’i vijë shumë shpejt Shqipërisë.

Objektivi i kualifikimit në Europian – “Jam i sigurt dhe i bindur që ne do ta tentojmë kualifikimin me lojtarët që kemi, sepse u bë disa vite që unë punoj me Kombëtaren U-21 dhe nuk ka diferenca të mëdha. Nuk po flas për Anglinë, Francën apo Spanjën, që janë diçka tjetër në drejtim të nivelit, por me ekipet e tjera, nëse mobilizohemi si duhet dhe sakrifikojmë për njëri-tjetrin mund të bëjmë gjëra të mëdha. Këtë e kemi parë edhe te Kombëtarja A, siç e pamë edhe kundër Italisë, ku luajtëm mirë.

Janë disa gjëra të vogla që ne duhet t’i ndryshomë në mentalitetin shqiptar, mjafton të shohim çfarë ndodhi në Kombëtaren A, kur italianët dolën vetëm me portierin, sulmuesi italian ia pasi shokut i cili shënoi gol. Kur doli një lojtar i joni pak më vonë, në vend që t’ia pasonte shokut, e goditi vetë topin drejt portës.

Pra, janë diferenca që ne mund t’i përmirësojmë duke ndryshuar mentalitet, duhet të kuptojmë që ne luajmë për grupin, luajmë për Shqipërinë, nuk luajmë për veten tonë. Këtë koncept mundohem t’ia injektojë gjithmonë lojtarëve të Kombëtares U-21, që jemi një grup dhe vetëm nuk fitohet asgjë dhe kur luajmë në grup ne bëjmë ndeshje shumë të mira.

Me këta lojtarë që kemi plus edhe ndonjë lojtar tjetër, siç është për shembull Adrian Bajrami i vitlindjes 2002 që është në Kombëtaren A e që mbase mund ta kemi në dispozicion për t’u forcuar sa më shumë. Patjetër unë i uroj suksese tek ekipi A sepse është një lojtar shumë i mirë, bëri 2-3 ndeshje me ekipin U-21 dhe kaloi te Kombëtarja A, pasi është lojtar i perspektivës që do ta ketë Shqipëria për shumë vite”.