Bushi: Kam besim tek U-21 për kualifikim, nga kampionati shqiptar kërkoj elemente

Trajneri i shpresave, Alban Bushi, ka folur ekskluzivisht për Oversport dhe Tibo në emisionin “Ti Bo Gol”.

“Miqësoret shërbejnë për ne dhe për lojtarët. Më shumë për të ardhmen e tyre që të jenë gati për Kombëtaren. Skemat taktike janë shumë të rëndësishme për ne. Ne kemi luajtur gjithmonë me 4 mbrojtës dhe do të shohim nëse do të luajmë dhe me 3.

Dëshira jonë është që të kualifikohemi për në europian. Në edicionin e kaluar dolëm në vendin e tretë dhe vetëm për 5 pikë nuk u kualifikuam. Besoj se jemi penalizuar nga Kombëtarja sepse ata kanë marrë shumë elemente te shpresat. Ne si staf kemi dëshira të mëdha të bëjmë paraqitje të mira dhe të kualifikohemi në europian.

Mendoj se trajnerët e Superiores duhet të bëjnë më shumë me lojtarët e ri. Në Shqipëri ka shumë lojtarë të ri dhe duhet të kemi besim tek ata. Partizani po bën shumë mirë me lojtarët e ri. Ne duhet të kemi ndihmë nga klubet e vendit për të pasur lojtarë të ri. Lojtarët tashmë nuk janë më si më parë, tani merren më shumë me teknologjinë.

Ekipi im është i plotë, i kemi lojtarë cilësorë. Repartin e mbrojtjes e kemi pasur gjithmonë problem. Tashmë mendoj se i kemi pozicionet shumë mirë. Shpresat këtë sezon mendoj se do të bëjnë diçka të madhe. Shumë lojtarë kanë shkuar në kombëtaren e parë dhe kjo është një zgjedhje e federatës.

Unë mendoj se kemi bërë mirë duke furnizuar ekipin e parë me lojtarë nga të gjitha moshat. Dua të them dhe kam shumë besim se kombëtarja të kualifikohet. Ëndrra e vetme që kam për momentin është që të kualifikohem me U-21. Një njeri duhet t’i realizojë ëndrrat e tij me meritë.

Sylvinho është një trajner me energji dhe njeri që do të luajë një futboll të bukur si brazilian që është. Lojtarët e grumbulluar janë zgjedhja e tij, duke i parë forcën e dhe aftësitë e kundërshtarit ai zgjedh dhe lojtarët.” – tha Bushi. /oversport.tv