Trajneri i Kombëtares Shqiptare U-21, Alban Bushi doli sot në konferencë për shtyp, ku shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e eliminatoreve të Evropianit ndaj Andorrës (07.10.2021) dhe Sllovenisë (11.10.2021).
Tekniku ka folur për lojtarët e grumbulluar dhe për objektivat në këto dy ndeshje: “Unë gjithmonë do të marr ata lojtarë që janë më në formë. Nuk mund të marrim një lojtar që mund të luajë në kampionatin shqiptar që është i dobët me një tjetër që është jashtë që mund të luajë më mirë.
Ne duam të marrim 3 pikë në ndeshjen me Andorrën, që është shumë e rëndësishme për ne. Ne vijmë nga një humbje jo e mirë dhe në përgjithësi gjithmonë humbjet janë të hidhura, siç ishte humbja me Çekinë.
Nga kjo humbje kemi nxjerrë shumë mësime dhe humbjet nga një anë kanë edhe gjëra pozitive se ti mëson se ku ke gabuar për t’u përmirësuar për të ardhmen. Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne, sidomos ndeshja ndaj Andorrës”.
Bushi ka folur edhe për kundërshtarët e tjerë të grupit: “Edhe Anglia është dhe nuk është e fortë. Futbolli luhet 11 me 11. U bëra disa vite trajner i Shpresave dhe i kam parë pothuajse të gjithë ekipet, nga Italia dhe Spanja.
Thjesht duhet përqëndrim i madh dhe sakrificë, për të përballuar kundërshtarët e nivelit të mirë dhe nivelit të dobët. Kemi ekipin e Andorrës që mund të vijë këtu dhe të na shënojë 5 gola, nëse nuk ka përqëndrim dhe nuk jepet maksimumi.
Ne si ballkanas i nënvlerësojmë pak ekipet e dobëta, por nuk duhet. Jam munduar të kërkoj gjithmonë maksimumin dhe kam thënë që unë në minutën e 5-të unë mund të bëj edhe një ndërrim, nëse shoh që dikush nuk vrapon apo nuk lufton, apo që nuk sakrifikon për shokun e Shqipërinë”.
Tekniku ka folur edhe për gabimin e Alias në ndeshjen kundër Çekisë: “Ne gabuam të gjithë, nuk gaboi vetëm Marco Alia. Gabimet janë pjesë e lojës, po nuk gabove, i bie që mos të fitojë asnjëri. Alia ka pasur arsye personale, më ka telefonuar dhe nuk ndihet mirë për momentin. Do të fokusohet tek ekipi i tij dhe për këtë arsye nuk është pjesë e ekipit këtë radhë.
Nuk mendoj asnjëherë që një lojtar që gabon, të mos jetë pjesë e ekipit. E kam thënë gjithmonë që, gabimet janë shumë të këqija kur janë gabime në mendim dhe jo kur janë gabime teknike. Ai ishte një gabim teknik dhe nuk quhet. Ata janë të rinj, janë të vegjël, po nuk gabuan nuk do të mësojnë. E rëndësishme është të mos gabojnë në mendim.” /Oversport.tv