Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Slloveninë, që luhet nesër prej orës 18:00. Tekniku i kuqezinjve ka deklaruar: “Gjendja është shumë e mirë. Fizikisht thuajse janë të gjithë mirë, me përjashtim të Asllanit që ka marrë një goditje dje. Gjithsesi është diçka e lehtë. Kjo është diçka pozitive sepse si asnjëherë më parë grupi është i plotë. Na është afruar edhe Muçi ditën e fundit, për këtë dua të falënderoj edhe trajnerin Reja. Jemi të fokusuar shumë te kjo ndeshje, pasi është shumë e rëndësishme për ne. Është një ndeshje futbolli dhe i ka të tria rezultatet brenda.
Ne do të shkojmë për të fituar, pasi jemi më të mirë se Sllovenia. E kemi treguar edhe në Elbasan. Jemi më të mirë atëherë kur ne bëjmë më të mirën, kur japim maksimumin në fushë. Mendojmë që e di çdokush nga lojtarët se sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne dhe se sa shumë duhet të luftohet për ta fituar. Nëse fitojmë, atëherë mund të kemi mundësi më shumë për t’iu afruar vendit të dytë”.
“Sllovenia? I kemi dhënë rëndësi këtij kundërshtari si gjithë ekipet e tjera, pavarësisht se kemi ndryshuar diçka në përbërjen tonë, taktikën dhe strategjinë tonë. Këtë do ta shohim ditën e ndeshjes. Shpresoj që lojtarët do ta bëjnë shumë mirë. Jemi përqendruar sidomos te kundërsulmi dhe do të mbrohemi shumë mirë”.
“Përveç Carës që ka qenë i dëmtuar dhe na prish punë, me ardhjen e Muçit bëhemi më të fortë. Është një lojtar i rëndësishëm, ka qenë vendimtar për ne në shumë ndeshje. Kemi shumë alternativa këtë radhë. Rrapaj është një lojtar shumë i mirë, ka luajtur thuajse të gjitha ndeshjet në formacion, një lojtar që lufton shumë. E ka dhe pasin për ta marrë topin nga mbrojtja, për ta nxjerrë në sulm, por edhe pasimin për gol e ka shumë të mirë.
Besoj se do t’i jepet mundësia në këto dy ndeshje që të aktivizohet dhe të japë maksimumin. Mendoj se çdo lojtar për ne është i rëndësishëm. Këtu është ekip Kombëtar dhe secili nga ne është i rëndësishëm dhe duhet të ndihet me rëndësi. Dikujt mund t’i vijë mundësia vetëm 1 minutë dhe ta shpëtojë Shqipërinë për një kualifikim në vend të dytë ose në vend të parë. Prandaj të gjithë lojtarët janë shumë të rëndësishëm për ne”.
“Objektivi? Kam shumë besim që këtë edicion do të bëjmë shumë mirë, po kjo varet e gjitha nga ndeshja me Slloveninë. Ne kemi 9 pikë dhe mendoj se çfarëdo të ndodhë me Slloveninë, ne prapë do të jemi në lojë, por nuk besoj se do të ndodhë humbja. Unë kam shumë besim se ne do të fitojmë dhe do të jemi shumë pranë vendit të dytë. Nëse do të fitojmë, atëherë do të kemi më pas mundësi të marrim edhe lojtarë nga ekipi i parë, pasi nuk ka ndeshje në muajin mars. Ndaj Çekisë dhe Anglisë do të kemi më shumë alternativa, si Kumbulla, Broja. Gjithsesi fokusi ynë është te kjo ndeshje me Slloveninë, që duhet ta fitojmë patjetër”. / oversport.tv