Bushi: Objektiv është vendi i dytë, Superiorja është rritur shumë

Trajneri i kombëtares U21, Alban Bushi ka folur për mediat në prag të ndeshjeve të radhës që Shqipëria do të luajë kundër Çekisë dhe Anglisë, respektivisht në 25 dhe 29 mars, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023.

Kuqezinjtë zënë vendin e tretë në grupin G, me 9 pikë të grumbulluara në 6 ndeshje të luajtura. Bushi ka analizuar kundërshtarët, ka folur për afrimet e reja si dhe për objektivat e kuqezinjve në këtë fushatë eliminatore.

Afrimet nga Superiorja- “Kampionati ka pasur shumë rritje. Kemi marrë edhe më parë, por jo kaq shumë sa këtë radhë. Janë dy ndeshje të rëndësishme për ne, por mendojmë edhe për sezonin e ardhshëm, duke llogaritur që trajneri Reja merr disa lojtarë nga Shqipëria U21.

Tre portierë nga Superiorja? Kemi edhe Mollën, por edhe Demën e Teutës. Shqipëria ka talente në portë, kemi edhe Simonin. Konjuhi dhe Bajrami janë potencial edhe për kombëtaren e madhe.

Kemi një mungesë shumë të rëndësishme siç është Asllani. Ai do luajë me kombëtaren A. Na bëhet qejfi, por na prishen planet dhe ekuilibrat kur largohen lojtarë si Asllani.

Kundërshtarët –“Janë ekipe shumë të forta, por edhe ne jemi të fortë. Humbëm 4-0 në Çeki, por bëmë një lojë të mirë, edhe pse humbja nuk justifikohet. Këto takime janë vendimtare, matematika na lejon të pretendojmë për vendin e dytë.

Duam të nisim me fitore ndaj Çekisë. Shpresoj të bëjmë më mirë se në dy ndeshjet e fundit. Çekia dhe Anglia janë ekipe shumë të forta, port ë gjithë dinë të luajnë futboll dhe të luftojnë. Detajet do e bëjnë diferencën, por kemi lojtarë shumë të mirë dhe në Shqipëri jemi shumë të forta.

Objektivat– “Jemi pretendentë për vendin e dytë, besoj se do e arrijmë. Kemi thirrur Tucin, e kemi lojtar të rëndësishëm, por dëmtimi e frenoi. Ai është potencial shumë i mirë edhe për ekipin e parë kombëtar.

Kam shumë besim tek ekipi, shpresoj të marrim Asllanin për ndeshjen me Çekinë, besoj se trajneri Reja do e lejojë. Dua të përmend edhe Rrapajn, i cili po bën mirë te Partizani.

Shpresoj të jemi në ditë të mirë. Shqipëria gabon shpesh, edhe ekipi A, bëjmë gabime amatoreske edhe si popull. Kjo vjen nga mungesa e përqendrimit, mungon tek ekipet shqiptare dhe ato ballkanase. Shpresoj të jemi në ditë të mirë ne dhe Çekia në një ditë të zezë”.

Adrian Bajrami- Ai është pjesë e ekipit, por nuk iu bë pasaporta. Shpresoj të na ndihmojë edhe qeveria për pasaportën. Ai është një potencial shumë i madh për ekipin A. Kam shumë besim se do të ndjekë rrugën e Kumbullës dhe Gjimshitit. Shpresoj ta marrin shpejt pasaportën Bajrami dhe Konjumi”, ka thënë  tekniku Alban Bushi. / Oversport.tv