Buzëqesh Allegri, mbrojtësi brazilian jep sinjale pozitive për rinovimin

Juventus po kalon një sezon nga më të çuditshmit. Nga forma e dobët, te rikthimi në një seri fitoresh e më pas penalizimi me pikë. Eliminimi në Champions dhe pjesa tjetër e sezonit në një malore për t’u ngjitur drejt zonës europiane në kampionat. Jo vetëm kaq, por krahas të gjithë problematikave dhe mungesave edhe prej dëmtimeve, te Juventus ka vend edhe për lajme pozitive dhe rinovime.

Në një intervistë për Tuttosport, Danilo ka dhënë edhe sinjale për rinovimin e kontratës me bardhezinjtë. Mbrojtësi brazilian ka treguar se të gjithë janë dakord për zgjatjen e qëndrimit dhe se në ditët në vijim do të ketë zhvillime.

“Kemi një raport shumë të mirë dhe të dyja palët kemi dëshirë për të shtyrë qëndrimin tim këtu. Në ditët në vazhdim do të ketë të reja edhe në lidhje me këtë çështje. Për mua nuk është aspak një çështje parash apo statusi në këtë klub. Ajo që më intereson është që të jem në një klub që dua dhe të bëj atë që dua. Unë ndjej që duhet të shpërblej gjithçka kam marrë në këtë klub”, ka thënë fillimisht braziliani.

Edhe ndaj Fiorentinës, Danilo luajti me shiritin e kapitenit dhe për këtë, ai ka dhënë një koment me fjalë prej lideri të vërtetë.

“Ishte trajneri Allegri që e vendosi. Që përpara ndeshjes me Interin. Megjithatë, kryesorja është që duhet të rikujtoj gjithkënd se kapiten i kësaj skuadre është Bonucci.

Ai është personi që më ka ndihmuar më së shumti që të jem ky që jam sot. Për mua është nder i madh që të kem atë shirit në krah. Shiriti nuk është vetëm që të bën të flasësh para ekipit në vigjilje të ndeshjes, por të jesh krah me lojtarët dhe të jesh ti personi që përballet me stafin për nevojat dhe kërkesat e lojtarëve.

Ndëshkimi me 15 pikë, bëri që të kishim një situatë të vështirë dhe për asnjërin nga ne nuk ishte aspak e lehtë. Por e kuptuam që nuk mund të bënim asgjë dhe për ne, nevojitej vetëm të zbrisnim në fushë me përqendrim maksimal dhe për të marrë sa më shumë pikë që të jetë e mundur”, ka deklaruar Danilo. /oversport.tv