Buzëqesh Milani, dëmtimi i Tonalit më i lehtë nga sa mendohej

Ka lajme të mira në kampin e Milanit, në lidhje me gjendjen e Sandro Tonalit, që u dëmtua në miqësoren e së shtunës kundër Vicenzas.

Kontrollet mjekësore përjashtuan dëmtime muskulo-tendinoze dhe gjendja e mesfushorit do të vlerësohet ditë pas dite. Bie poshtë hipoteza e një dëmtimi të rëndë dhe Tonali mbetet në dyshim vetëm për ndeshjen debutuese në kampionat kundër Udineses.

Gjithsesi rikuperimi është çështje ditësh dhe jo javësh, prandaj me shumë mundësi lojtari do të jetë në dispozicion të Piolit për ndeshjen e dytë të Serie A kundër Atalantës në 21 gusht.

Nëse Tonali mungon në debutim, atëherë në fushë pritet që zbresë Krunic, që e zëvendësoi edhe në miqësoren kundër Vicenzas. / Oversport.tv