Bylis me mungesa në sulm do vazhdimësinë, Egnatia tremb jashtë

Sfida Bylis-Egnatia çel siparin e javës së 23-të të Abissnet Superiore. Forma e treguar së fundmi nga të dyja skuadrat dhe uria për pikë, e bën këtë përballje që të jetë më e luftuar se kurrë, diktuar edhe nga nevoja për pikë në këtë moment të kampionatit.

Për Bylisin, 3 pikët në Laç, janë një oksigjen i mjaftueshëm që të besuarit e Shensojit të futen në këtë 90 minutësh duke kërkuar edhe një herë tjetër maksimumin. Tre fitore në pesë ndeshjet e fundit, janë një tregues i qartë i formës dhe reagimit të ballshiotëve, ndaj edhe me Egnatian fitorja mbetet synimi parësor. Një barazim pa gola në fazën e parë dhe një fitore në të dytën në transfertë, janë statistika pozitive në përballjen mes të dyjave këtë edicion. Por lajmet e këqija për Shensojin vijnë pikërisht nga reparti i avancuar, teksa pas Antoni Bejit të dëmtuar, edhe Felipe Souza rrezikon të mungojë gjatë për shkak të dëmtimit në gju, pësuar në Laç.

Përballë do të jetë një skuadër që ka rigjetur ritmin, edhe pse në sfidën e fundit ndau një barazim me Vllazninë. Dhe do të kërkojë revansh ndaj Bylisit, për përballjet e këtij sezoni. Për Egnatian, Laçi dhe Vllaznia, me katër pikë të grumbulluara, kanë qetësuar ambientin dhe rimotivuar skuadrën për të tentuar më të mirën edhe në një fushë të vështirë si ajo e Ballshit.

Kjo do të jetë një përballje mes Bylisit që renditet në mesin e tabelës kur Vjen puna për përballjet si pritëse dhe Egnatias që është e treta në klasifikimin për ndeshjet si udhëtuese.

Ecuria e treguar deri më tani, me Bylisin që  është një kockë e fortë për cilëndo skuadër në Ballsh dhe Egnatian që shprehet më mirë jashtë fushe, premton spektakël dhe Surpriza në 90 minutëshin që do të luhet në “Adush Muça”. / Oversport.tv