Bylisi e Korabi luajnë sfida të thjeshta në letër, Erzeni udhëton në Sarandë

Është rikthyer Kategoria e Parë me të gjitha ndeshjet e javës së 11-të që do të luhen sot në orën 13:30. Kështu, Bylisi i vendit të parë pret në shtëpi Maliqin e vendit të fundit. Ballshiotët kërkojnë të rikthehen tek rezultatet pozitive pas humbjes në ndeshjen e fundit dhe fitorja është një detyrim.

Erzeni i vendit të dytë do të udhëtojë në Sarandë në një përballje mjaft interesante me Butrintin, ndërsa Korabi pret në shtëpi Vorën. Tomori do të udhëtojë në Kavajë për t’u përballur me Besën. Beratasit kërkojnë të lënë pas ecurinë negative në 3 javët e fundit, por një fitore e Besës do t’i ngjiste ata më lartë në renditje.

Ndërkohë, në ndeshje të tjera, Besëlidhja pret në shtëpi Tërbunin, ndërsa Lushnja do të udhëtojë në Burrel në luftën për mbijetesë. Turbina e vendit të parafundit kërkon të bëjë surprizën në shtëpi ndaj Shkumbinit. Do të luhet edhe Pogradeci-Apolonia me fierakët që një fitore do ta çonte në pjesën e sipërme të renditjes. /oversport.tv