Bylisi kërkon vazhdimësi, Tomori-Lushnja një finale e parakohshme

Do të luhen sot në orën 16.00 të gjitha takimet e javës së tretë të Kategorisë së Parë. Interesi për këtë kampionat është i madh, pasi në të marrin pjesë shumë skuadra me histori dhe traditë në futbollin shqiptar.

Kryesuesit e Bylisit kanë një shans të mirë për të konsoliduar pozitat në krye të renditjes, pasi do të presin në shtëpi Turbinën. Ndërsa Korabin, skuadra tjetër që ka pikë të plota deri tani, e pret një transfertë e vështirë në Kavajë përballë Besës vendase.

Përballja Tomori-Lushnja është kryesfida e kësaj jave, me dy skuadrat që synojnë fitoren e parë në kampionat, pas një starti jo të mirë. Tërbuni-Vora është një tjetër përballje e ditës së sotme në Kategorinë e parë.

Besëlidhja, e vetmja skuadër pa pikë, synon kthesën në shtëpi në ndeshjen e sotme kundër Pogradecit, ndërsa Erzeni i Nevil Dedes udhëton drejt Peqinit për t’u ndeshur me Shkumbinin vendas.

Apolonia do të luajë në transfertë përballë debutuesve të Maliqit, ndërsa Butrinti do të presë në shtëpi Burrelin. /Oversport.tv