Bylisi synon fitoren e 10-të radhazi, Erzeni pret në shtëpi Burrelin  

Do të luhet sot në drekë java e 10-të e Kategorisë së Parë. Kështu, Bylisi kërkon të vazhdojë ecurinë pozitive në krye pa pësuar ende asnjë humbje dhe asnjë barazim. Ekipi i Ballshit do të përballet në transfertë ndaj Shkumbinit dhe tre pikët janë objektivi i tyre i vetëm.

Erzeni i vendit të dytë nuk kërkon të humbasë më shumë terren dhe synon fitoren në shtëpinë e vet ndaj Burrelit. Fitorja në Berat ndaj Tomorit e ka motivuar më shumë Erzenin dhe një hap fals sot do të ishte zhgënjim.

Korabi ndërkohë do të udhëtojë në Lushnje për të forcuar pozitat në vendin e tretë, me Lushnjen që ndodhet në vështirësi këtë fillim kampionati. Sakaq, Tomori pret në shtëpi Butrintin dhe një hap fals i Korabit mund t’i barazonte ata me pikë në vendin e tretë.

Edhe Besa kërkon të përfitojë nga ndonjë hap fals pasi ndodhet me pikë të barabarta me Tomorin. Ekipi i Kavajës do të udhëtojë në Pukë, ku do të përballet me Tërbunin.

Në ndeshjet e mbetura, lufta për mbijetesë është ngjeshur pas javës së 9-të. Apolonia pret në Fier Turbinën, ndërkohë që Pogradeci udhëton në Vorën e vendit të fundit. Një fitore ndaj Maliqit do t’i jepte qetësi për të paktën një javë jashtë zonës së mbijetesës Besëlidhjes. /oversport.tv