Sot në orën 14:00 do të luhen të gjitha takimet e javës së katërt të Kategorisë së Parë.
Kryesuesit e Bylisit, të vetmit me pikë të plota deri tani, do të udhëtojnë drejt Pogradecit, për t’u ndeshur me skuadrën vendase, që nuk e ka nisur mirë këtë sezon, duke grumbulluar vetëm 2 pikë ne tre takime të luajtura.
Korabi i vendit të dytë ka një shans të mirë për të konsoliduar pozitat në renditje, pasi do të presë në shtëpi Besëlidhjen, që po kalon një moment të vështirë dhe e sheh veten në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit.
Lushnja kërkon të largojë krizën, duke synuar fitoren e parë sezonale në kampionat në sfidën shtëpiake kundër Butrintit, që ka nisur shumë mirë sezonin, me 6 pikë në tre ndeshje të luajtura.
Erzeni ka një mundësi të mirë të rikthehet tek rezultatet pozitive, pasi do të presë në shtëpi Turbinën. Burreli-Besa është një tjetër sfidë interesante e kësaj jave në Kategorinë e Parë, ndërsa Apolonia pret në shtëpi Tërbunin.
Shkumbini kërkon një tjetër rezultat pozitiv përballë debutuesve të Maliqit, ndërsa Vora do të presë në shtëpi pretendentët e Tomorit, që nuk kanë shkëlqyer në këtë start të sezonit. / Oversport.tv