Cannavaro: Xavi ideal për Barcelonën, jo Pirlo! Dua të trajnoj në Europë

Fabio Cannavaro beson se Xavi mund të bëjë më mirë se Pirlo në stolin e Barcelonës, në rast shkarkimi të Ronald Koeman.

Legjenda e Italisë, në një intervistë për gazetën ‘AS’, thotë se Laporta duhet të emërojë dikë që e njeh mirë klubin.

“Pa Messin gjithçka është më e vështirë. Trajneri është themelor. Kam lexuar për Pirlon, por mendoj se ata duhet të thërrasin Xavin. Të duhet dikush që i njeh vlerat e klubit”, shton Cannavaro.

Në shtator, Cannavaro i dha fund bashkëpunimit me Guangzhou FC dhe shpreson të gjejë një punë në kampionatet elitare të Europës. Italiani vlerëson kinezët, ndërkohë që është i hapur për të drejtuar Italinë dhe Napolin.

“Ata janë pjesë e historisë time dhe i dua gjithashtu, por prioriteti im është të stërvit në Europë. Nuk mbyll asnjë mundësi”.

Fabio Cannavaro është lojtari i fundit italian që ka fituar një “Top të Artë”, ndërsa u shpall si lojtari më i mirë i vitit në 2006 pas suksesit me Italinë në Kupën e Botës.

Ai ka luajtur në karrierën e tij me skuadra të nivelit të lartë si Juventus, Napoli, Inter dhe Real Madrid, ndërsa ka provuar dhe eksperienca me Parmën dhe Al Ahli në Arabinë Saudite./ oversport.tv