Capello: Në Europë e dëmtuan arbitrat, Milan për titull falë Piolit

“Pioli dhe lojtarët e Milanit nuk mund të fshihen më sa i përket titullit”, kështu e nis fjalën e tij ish-trajneri i Milanit, Fabio Capello. Në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, trajneri që ka fituar me këtë klub katër tituj, një Kupë Kampionesh, një Superkupë të Europës, tre superkupa të Italisë dhe një botëror për klube, ka komentuar ecurinë që tanimë kanë kuqezinjtë nën drejtimin e Piolit.

“Rinovimi për Piolin është i merituar. Madje i stërmerituar. Për punën e bërë, për rritjen që i ka sjellë skuadrës dhe sidomos të rinjve pjesë e këtij ekipi dhe për ndjesinë dhe lidhjen që ka krijuar në përbërjen e këtij klubi.

Janë faktorë shumë të rëndësishëm dhe nën drejtimin e tij, tanimë të gjithë janë të bindur. Sigurisht, që prioritare është puna tekniko taktike që ka bërë, me të vërtetë shumë e rëndësishme”, është shprehur Capello.

Në fjalën e tij, Capello komenton edhe punën që Pioli ka bërë sidomos me të rinjtë. “Më pëlqen ta nënvizoj suksesin e tij për të përmirësuar të rinjtë. Edhe kur të rinjtë kanë gabuar, ai u ka dhënë besim dhe shansin të rriten. Me të, të gjithë janë maturuar dhe përmirësuar ndjeshëm. Kalulu është një nga shembujt më të fundit.

Por jo vetëm. Leao me Piolin ka gjetur vazhdimësinë dhe ka mësuar dhe kuptuar se çfarë duhet të bëjë në fushë. Për ftesën e kombëtares së Francës ndaj Theo Hernandez, ka shumë vend merita e trajnerit që e ka rritur në maksimum potencialin e tij.

Edhe për Diaz, tek i cili ka besuar shumë Pioli por edhe vetë klubi. Gjithashtu Tonali, i cili pas një sezoni jo në lartësinë e duhur, ka pasur guximin për ta konfirmuar duke i ditur dhe besuar tek aftësitë e lojtarit”, është shprehur më tej ish-trajneri kuqezi.

Më tej, Capello nënvizon edhe objektivat e Milanit dhe rritjen e dukshme të kuqezinjve. “Në Europë janë penalizuar nga arbitrat, por asnjëherë nuk duhet të jetë një justifikim. Nuk kanë luajtur asnjëherë aq mirë sa në Madrid. Atje demonstruan një skuadër me cilësi, teknikë, bindje dhe dëshirë për të fituar. edhe nëse e kanë bërë këtë në fund të fazës së grupeve, tregon se ekipi është në një proces rritjeje.

Në Europë ishin thuajse jashtë dhe tanimë u rikthyen në garë. Pse të mos e provojnë? Nuk kanë më asgjë për të humbur. Tani, nuk duhet të bëjnë gabimin që pasi fituan në Europë, të mendojnë se në Itali fitoret vijnë vetvetiu. Jo! Duhet të tregojnë që kanë vazhdimësi të njëjtë edhe në kampionat.

Tani që Pioli e ka krijuar këtë grup, duhet të synojnë objektiva madhorë. Tani, gjenden në një pozicion të ndryshëm nga vitet e fundit: Stefano dhe Milan, nuk mund të fshihen më”, ka deklaruar Fabio Capello. /Oversport.tv