Capello: Penalltia? Futbolli nuk është basketboll. I thashë Allegrit të mos kthehej

Fabio Capello ka komentuar për mikrofonat e “Radio Anch’io Sport” sfidën mes Romës dhe Milanit, duke theksuar se kuqezinjtë janë një skuadër solide. Ish-trajneri i verdhekuqve ka folur edhe për episodin e penalltisë.

“Ishte një ndeshje shumë e bukur. Milani e meritoi fitoren dhe më është dukur një skuadër më e bindur për forcën e saj. Roma ishte e pafat. Është e kotë që të flasim për penalltitë. Është e vërtetë që pati një kontakt, por futbolli nuk është basketboll, nuk është një lojë ku nuk lejohen kontaktet. Propozimi im është që të vendoset një ish-lojtar pranë VAR-it që të mund të diskutohen këto situata”, ka thënë Capello.

Pavarësisht momentit jo të mirë, ish-trajneri i Romës e sheh Josè Mourinhon si teknikun ideal të verdhekuqve: “Është i përshtatshëm për Romën, është një vend që ekzaltohet dhe dëshpërohet në pak kohë, por ai është njeriu i duhur për një klub të tillë”.

Capello ka trajnuar edhe Zlatan Ibrahimovic tek Juventusi, ku stafi i tij teknik ka kontribuar për të përmirësuar gjuajtjen e suedezit: “Kur Ibra erdhi tek Juventusi nuk dinte të gjuante dhe bashkë me Galbiatin e mësuam që të gjuante, por kuptohej që do të bëhej një lojtar i madh”.

Duke qëndruar tek Juventusi, Capello ka treguar një prapaskenë me trajnerin aktual të bardhezinjve, Massimiliano Allegri: “I sugjerova Allegrit të mos kthehej dhe i thashë se do të ishte ai në qendër të çdo kritike.

Lojtarët nuk po shprehin të gjithë potencialin e tyre dhe kjo duket në fushë. Për këtë bëhet me faj trajneri, që ka qenë pushim për dy vite. Nuk është një situatë e lehtë për tu përmbysur”, ka përfunduar Capello. / Oversport.tv