Sampdoria ka arritur fitoren e parë sezonale në kampionat, pasi ka mposhtur në transfertë 3-0 Empolin. Një dygolësh i shënuar nga Caputo (nga një gol për çdo pjesë) dhe një gol i veteranit Candreva kanë vendosur fatin e këtij takimi.
Ka qënë Empoli skuadra që ka dhënë sinjalin e parë, me një rast të mirë të Mancusos, por më pas miqtë rrisin lojën dhe presionin dhe shënojnë në minutën e 30-të me Caputo. Ish-i i kësaj sfide godet edhe traversën pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë dhe më pas gjen golin e dytë personal në minutën e 52-të të takimit.
20 minuta nga përfundimi i ndeshjes, Candreva, një nga më të mirët e takimit, vulos fatin e kësaj sfide me një gol shumë të bukur.
Empoli me Ismajlin dhe Bajramin titullarë pëson humbjen e dytë radhazi në shtëpi, ndërsa Sampdoria ngjitet në kuotën e 5 pikëve.