Carragher: Conte është trajner brilant, por te Tottenham duhet kohë që të zgjidhë problemet

Antonio Conten dhe Tottenham e ndan vetëm zyrtarizimi. Tekniku italian pritet të ulet në stolin e “Spursave” dhe diçka e tillë nuk është lënë pa komentuar edhe nga opinionistët në ishull.

Së fundmi për këtë lëvizje ka folur edhe legjenda e Liverpool, Jamie Carragher. Ish-mbrojtësi është shprehur shumë i lumtur për kthimin e Conte në Angli dhe nuk i kurseu aspak elozhet për të. Ai tha se italiani është një trajner brilant megjithatë, për të rregulluar problemet e Tottenham do të duhet pak kohë.

“Jam shumë i lumtur për kthimin e tij në Angli. Te Chelsea ishte një zbulim, ai është një trajner brilant dhe mezi pres ta shoh përsëri. Personaliteti i tij në Premier League do të shërbejë shumë. Do të duhet kohë për të rregulluar problemet e Tottenhamit, edhe pse unë jam një tifoz i madh i Antonios dhe shpejtësisë së tij për t’u bashkuar me ekipin. Nuk mendoj se ai do të jetë në gjendje t’i sjellë “Spurs” drejt suksesit në terma afatshkurtër”, tha Carragher për mikrofonat e Sky Sports.