Casillas: Nuk dua të trajnoj, Xavi Alonso dhe Torres kanë prirje për atë punë

Iker Casillas ka dhënë një intervistë të gjatë ku ka folur për shumë momente të ndryshme të karrierës së tij. Ai u ndal kryesisht te momenti më i lumtur në karrierën e tij, si dhe pranoi se nuk dëshiron të jetë një trajner futbolli.

“Për të qenë portier duhet të kesh forcë të madhe mendore. Në atë rol ke gjithmonë gabimet dhe përgjegjësitë e çdo gjëje, je elementi i fundit në mbrojtjen e portës dhe pa karakter nuk mund të vazhdosh. Unë kam qenë me fat sepse e kam zhvilluar këtë mentalitet që në moshë të vogël”.

MOMENTI MË I BUKUR NË KARRIERË- “Momenti më i mirë ishte debutimi, unë ende e mbaj mend në mënyrë të përsosur. Isha 18 vjeç dhe luajta në San Mames kundër Athletic Bilbaos. Pastaj gjithçka tjetër erdhi më vonë. Asgjë nuk qëndron brenda jush si debutimi juaj profesional, për më shumë me fanellën e klubit që je stërvitur që fëmijë. Që në moshën 9-vjeçare kam ëndërruar të bëj debutimin tim në LaLiga dhe në fund më janë kthyer të gjitha përpjekjet e mia”.

TRAJNER NË TË ARDHMEN- “Jo, nuk dua të jem trajner. Të punosh në stol është e vështirë. Duhet t’i kushtosh shumë kohë dhe je gjithmonë në qendër të kritikave. Ky profesion nuk më frymëzon aspak. Në karrierën time kam pasur shumë shokë të skuadrës që kanë treguar tashmë aftësitë e tyre si lojtarë. Vokacionin për trajner mendoj se e ka Xabi Alonso, Xavi Hernandez, Fernando Torres”.

BARCELONA- “Është e vërtetë, Barça po vuan më shumë se sa pritej këtë vit, ndërsa Reali i Ancelottit është më i konsoliduar. Surpriza e madhe deri tani ka qenë Real Sociedad. Të parët në renditje deri para disa ditësh dhe tani të dytët.

Më pëlqejnë edhe Betisi dhe Sevilla. Jam i kënaqur me reagimin e Getafes. Në përgjithësi, shoh një ligë shumë të ekuilibruar, me gjashtë apo shtatë klube që luftojnë për të fituar dhe me shumë trajnerë të njohur ndërkombëtarisht. LaLiga po bëhet gjithnjë e më konkurruese”. /oversport.tv