Casiraghi: Dzeko më i mirë se Lukaku! Ja pse Ibra nuk e ka fituar “Topin e Artë”

“Ibrahimovic mund ta kishte fituar Topin e Artë nëse nuk do ishte për Messin dhe Ronaldon”, thotë Pierluigi Casiraghi. Ish-sulmuesi italian ka dhënë një intervistë për Tuttosport, ku ka folur rreth formës aktuale që po kalon gjiganti suedez dhe shpjegon arsyen përse nuk e ka fituar çmimin prestigjoz.

“Forca mendore e Zlatan bën diferencën. Është unik. Ka bërë histori dhe ka qenë pa fat që ka gjetur rivalë si Messi dhe Ronaldo, të cilët janë padyshim një hap më lart se ai. Përndryshe, ai do e kishte fituar Topin e Artë”, shpjegon Casiraghi.

GIROUD TE MILAN – “Është lojtar i madh. Te Chelsea më kanë thënë se është profesionist i madh, një nga ato futbollistë që janë gjithmonë të gatshëm dhe punojnë shumë, duke ndihmuar shokët e skuadrës. Këta lojtarë janë vendimtar në dhomat e zhveshjes”.

Ai beson se të dy sulmuesit mund të luajnë së bashku edhe pse janë dy qendër sulmues klasikë.

“Olivier është shumë i mirë në mbajtjen e topit, ndërsa Ibra ëshë më i kompletuar. Ndonjëherë ai shfrytëzon thellësinë për të marrë topin. Çuditërisht, ai po lëviz më shumë tani se më parë. Mendoj se po, mund të luajnë bashkë”.

INTERI – Casiraghi flet dhe për formën e mirë të Interit. Zikaltërit janë vetëm dy pikë poshtë Milanit në renditje dhe po përshaten pas largimeve të verës ku spikati ikja e Lukakut te Chelsea. Vendin e këtij të fundit e ka marrë Dzeko, i cili la Romën për t’iu bashkuar Interit.

“Dzeko është ndryshe nga Lukaku, ekipi luan ndryshe me të. Ai ka aftësi të mëdha teknike, ndihmon skuadrën me gola. Nuk është aq i fuqishëm sa belgu, por ka më shumë kualitet dhe Interi dhe ka më shumë mundësi shënimi më të”, përfundoi Pierluigi.

Casiraghi vari këpucët në gozhdë në moshën 29 vjeçare për shkak të dëmtimit të rëndë në ligamentin e kryqëzuar. Në karrierën e tij ai ka luajtur me skuadra si Lazio dhe Juventus në Serie A, ndërsa në Premier League ka provuar një eksperiencë me Chelsea. / oversport.tv