Ceferin i bindur: Dështimi i Super League, fitorja më e madhe e jona

Aleksander Ceferin ka bërë një bilanc të vitit 2021 dhe nuk ka dyshime për fitoren më të madhe që UEFA ka arritur këtë vit. Presidenti i UEFA, në një postim të bërë është i qartë dhe thotë se dështimi i Super League është fitorja më e madhe për komunitetin europian të futbollit.

“Përpjekja e prillit të kaluar për të krijuar Super League të mbyllur, që synonte vetëm të mbushte llogaritë bankare të disa klubeve, kërcënoi vlerat që qëndrojnë në qendër të modelit sportiv europian dhe misionit të UEFA-s.

Shkatërrimi i saj, i nxitur edhe nga dënimi popullor që mori nga i gjithë kontinenti, ishte fitorja jonë më domethënëse dhe e përbashkët në vitin 2021.

Do doja të falënderoja personalisht këdo që ishte me UEFA-n në një moment kaq të vështirë. Mbështetja juaj ka nënkuptuar që do të vazhdojmë të krijojmë një të ardhme të qëndrueshme të futbollit në Europë”, ka thënë Ceferin, i cili numëron edhe suksese të tjera të lidhura me organizimin e shumë garave në arenën europiane. / oversport.tv