Çeki-Slloveni dhe Itali-Gjermani përcaktojnë 2 biletat e fundit për në gjysmëfinalet e Eurovolej 2021

Polonia dhe Serbia, dy skuadrat e kualifikuara mes katër më të mirave të Kampionatit Europian të Volejbollit për meshkuj, presin të mësojnë emrin e rivalëve që do të përballen në gjysmëfinale.

Sfidat çerekfinale Çeki-Slloveni dhe Itali-Gjermani do të përcaktojnë dy skuadrat e tjera që do të vazhdojnë rrugën në këtë kompeticion.

Ferdinando de Giorgi dhe Andrea Giani kanë qënë shokë skuadre dhe kanë fituar 3 herë radhazi Kampionatin Botëror të Volejbollit në vitet 1990-të si lojtarë, ndërsa tashmë janë kundërshtarë si trajnerë në çerekfinalen e kampionatit europian.

Italia e de Giorgit ka bërë një paraqitje shumë të mirë në këtë turne, duke fituar të gjitha takimet që ka luajtur deri më tani. “Axurrët” synojnë suksesin e radhës që mbajnë gjallë ëndrrën për titullin e shumëpritur.

Andrea Giani ka bërë një punë shumë të mirë në krye të skuadrës gjermane dhe synon një vend mes 4 më të mirave të turneut përballë Italisë së tij.

Çeki-Slloveni është sfida që do të përcaktojë biletën tjetër për në gjysmëfinale. Çekët mund të konsiderohen surpriza e këtij turneu, pasi eleminuan Francën në turin e kaluar.

Në krahun tjetër qëndrojnë nën-kampionët e Europës, Sllovenia, që ndonëse nuk ka shkëlqyer deri tani, mbetet skuadra favorite për të kaluar në raundin tjetër.

Çerekfinalet Çeki-Slloveni dhe Itali-Gjermani mund t’i ndiqni live dhe eskluzivisht në kanalet Oversport.