Endri Çekiçi, mesfushori i Konyaspor dhe i kombëtares shqiptare, pas ndeshjes së fituar dje kundër Hungarisë në “Elbasan Arena”, ka folur për mediat. Në fokus humbja me Poloninë, triumfi i djeshëm, e ardhmja dhe San Marino me të cilët kuqezinjtë përballen të mërkurën.
“Besoj se u pa qartë që në fillim që kishim hyrë në fushë për tre pikët. Ishim të pafat në pjesën e parë, gjithashtu edhe në të dytën në disa raste. E rëndësishme është që e gjetëm golin dhe morëm atë për të cilën kishim hyrë në fushë”.
“Rezultati në Poloni nuk tregon atë që ndodhi në fushën e blertë. Nëse dëgjon që ka dalë 4-1, askush nuk e beson se ke bërë lojë të mirë. Polonia na ndëshkoi me dy goditje në pjesën e parë. Dje ishim më të përqendruar në goditjet standarte. Edhe fati ishte në krahun tone”.
“Trajneri na tha gjithë kohës që kishte besim te ne dhe ajo që ndodhi në Poloni nuk mund të përsëritet. Zbatuam detyrat, punuam në stërvitje për goditjet standarte dhe gjithçka shkoi si duhet”.
“Është një grup shumë i talentuar dhe me lojtarë me eksperiencë. Në vitet e ardhshme do të kemi një ekip kompetitiv jo vetëm në rajon, por me të gjitha ekipet e botës”.
“Natyrisht që dua të luaj, por e rëndësishme fillimisht është të jesh në kombëtare. Shpresoja të isha më parë, tani shpresoj të luaj sa më shumë. Gjithmonë do jap maksimumin, këtu vihet për fanellën dhe jo për diçka tjetër”.
“Qëllimi është vendi i dytë dhe nuk vihemi në presion. Besojmë te forcat tona dhe me pak fat mund ta arrijmë vendin e dytë. Ka shumë lojtarë të rinj këtu dhe besoj se do e shohim veten këtu për shumë vite. Po njohim njëri-tjetrin dhe hap pas hapi do përmirësohemi”.
“San Marino? Më e rëndësishme është të marrim tre pikët, pastaj goleada do të ishte ekstra për ne. Edhe me Hungarinë e nisëm lojën duke kontrolluar. Kemi ndryshuar stilin e lojës, jemi më sulmues. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe ndaj San Marinos, do e marrim ne kontrollin e lojës”. / oversport.tv